Të Paekspozuarit “Kavaja, basti i dyte për bastionin” Përballja mes Elvis Rroshit dhe Engjëll Carës
29.05.2015 7:05
Përditesuar: 29/05/2015, 9:48

 Kandidati socialist për Kavajën, Elvis Rroshi dhe ai demokrat Ëngjëll Cara kanë lëshuar akuza të forta kundrejt njëri tjetrit në emisionin “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit. Rroshi deklaroi se Cara ka qenë mik dhe kontribues i tij në fitoren e mandatit të parë si kryebashkiak, pretendime këto që janë hedhur poshtë nga kandidati demokrat. Ky i fundit akuzoi kryetarin aktual të bashkisë për abuzime me fonde dhe për fatura të papaguara. 

“Kavaja, basti i dytë për bastionin” është tema e emisionit “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit. E konsideruar si një bastion i Partisë Demokratike, 4 vite më parë kreun e Bashkisë së këtij qyteti e fitoi socialisti Elvis Rroshi.

Pas mandatit të parë në krye të Bashkisë së Kavajës, Rroshi kandidon nën siglën e PS-së për një mandat të dytë. Përballë tij në këto zgjedhje vendore është kandidati i Partisë Demokratike, Ëngjëll Cara.

Dy kandidatët shpalosën në bisedën me gazetarin Rakipi programin e tyre për administrimin e Kavajës.

Ndryshe nga përballja e kandidatëve të Kamzës një javë më parë në studion e gazetarit Rakipi, me kandidatët e Kavajës intervistat u zhvilluan individuale, pasi kandidati socialist, Rroshi nuk ka pranuar të përballet me rivalin e tij.

Në pjesën e parë të emisionit u transmetua një material filmik nga jeta në qytetin e Kavajës, situata zgjedhore dhe puna nga shtabet elektorale të të dy kandidatëve.

Më pas biseda vijoi në studion e moderatorit Ylli Rakipi me kandidatin socialist për Kavajën, Elvis Rroshi dhe me pas edhe me atë demokrat Ëngjëll Cara.

Akuzat e PD, Rroshi: Me ndihmën e Carës u zgjodha Kryebashkiak, do votojë për mua

Moderatori Rakipi ka pyetur Elvis Rroshin për aktivitetet që ka pasur përpara se të bëhej kryebashkiak i Kavajës dhe akuzat e kundërshtarëve të tij politikë si i inkriminuar.

“Kryetari i PD e bëri akuzën kur e di që Kavajën e ka të humbur. Ai është vetë i inkrimuinuar se ka lënë 4 të vrarë në mes të Tiranës. Kandidati i PD sot për Kavajën hedh akuza kundër meje, kur ka qenë një shok i imi që ka kontribuar më 2011. Ai do të votojë për mua”, ka thënë Rroshi.

Rroshi:  Nuk kam probleme me ligjin, Basha e ka të humbur Kavajën

Ai ka shtuar se nuk ka pasur kurrë probleme me ligjin.

“Nuk kam asnjë dosje të hapur, as kam pasur dhe as kam. Për këtë më votuan qytetarët e Kavajës dhe do të më votojnë prapë. Zoti Basha është i mbytur dhe nuk ka gojë të flasë pasi Kavajën e ka të humbur”, ka thënë Rroshi.

Arsimimi, Rroshi: Kam mbaruar ekonomi agrare, si Kryebashkiak më propozoi Ndreu

Moderatori Rakipi ka pyetur Rroshin për arsimin e tij.

“Kam mbaruar ekonomi agrare në Kamëz në vitin 2006″, ka thënë Rroshi.

Ai ka shtuar se nuk është anëtar i Partisë Socialiste.

“Partia ime është Kavaja. E kam thënë më 2011 dhe e them prapë. Nuk jam anëtar në asnjë parti”, u shpreh Rroshi.

I pyetur nga gazetari Rakipi se kush e propozoi emrin e tij për kryetar Bashkie të Kavajës, Rama apo Pjerin Ndreu, Rroshi u shpreh:

“Pjerin Ndreu sëbashku me strukturat dhanë idenë për emrin tim”.

Rroshi: Rama skeptik në 2011 se i dukesha i shkurtër, Berisha më la pa fonde

I pyetur nga Rakipi se kush besoi në fitoren e tij 4 vite më parë, Rroshi deklaroi:

“Edi Rama pas dy-tre takimesh në Kavajë i thashë, shiko Tiranën se Kavajën e kemi fituar.

Më shikonte si i gjatë dhe unë i shkurtër dhe u çudit. Por unë fitova. Stafi im dhe qytetarët më besuan dhe unë fitova”.

Ai shtoi se në mandatin e parë e gjeti Kavajën të rrënuar.

“Menjëhere pasi mora postin i dërgova dy letra kryeministrit Berisha dhe ai deklaroi në mes të Kavajës se sa të ishte Elvis Rroshi kryebashkiak nuk do të kishte fonde. Ne bëmë projekte me fondet e donatorëve”, u shpreh Rroshi.

Rroshi: Qytetin e ndriçova me donacione të bizneseve

Ai shtoi se çdo lagje dhe hyrje pallati në Kavajë ka ndriçim.

“Ndriçimi në Kavajë u mundësua nga biznesmenë. Dikush erdhi nga Italia dhe dha 100 ndriçues, dikush tjeter bëri rrugën.  Unë nuk ua kam kthyer këto ndere, vetëm respekt. Në total ky projekt i ndriçimit ka shkuar rreth 200 milionë lekë të vjetra”, u shpreh Rroshi.

Gazetari Rakipi ka pyetur Rroshin sesi do të veprojë në rast se biznesmenët që e kanë ndihmuar do t’i kërkojnë investimin mbrapsht.

“Këto biznese që kanë investuar e kanë bërë me shpirt dhe nga unë kanë respekt. Nuk do t’iu bëj ndere të tjera”, u shpreh Rroshi.

Rroshi: Ja presionet me të cilat u përballa gjatë qeverisjes Berisha

I pyetur për presionet nga ish-kryeministri Berisha, Rroshi deklaroi:

“Presionet më të mëdha kanë qenë kur më mbajtën në burg për 3 ditë dhe kur nuk dha asnjë fond për qytetarët e Kavajës.

Përsa i përket jetës së tij, Rroshi deklaroi se “kam një bashkëshorte,një vajzë 15 muajshe dhe presim vajzën tjetër muajin që vjen”, tregoi Rroshi.

Obelisku, Rroshi: Do t’ju surpizoj me një më të bukur gjatë  këtyre ditëve

Gazetari Rakipi ka pyetur kryetarin aktual të Bashkisë për heqjen e obeliskut nga qendra e Kavajës.

“Obelisku nuk është i PD, është i qytetarëve të Kavajës. Ne kemi një projekt të ri, ku Obeliski do të jetë më i bukur. Do ta bëj suprizë për disa ditë. Obeliskun për pak ditë do ta vëmë përballë Pallatit të Kulturës”, u shpreh Rroshi.

I pyetur nga gazetari Rakipi, Rroshi ka deklaruar se Obelisku është krijuar nga Ilirjan Xhixha, skulptor i njohur që rri në Milano.

“E ka bërë në Itali dhe do e sjellë në Kavajë. Është bërë bazamenti, është 7 metra i lartë dhe ftoj edhe Bashën që të vijë në inagurim”, u shpreh Rroshi.

Rroshi bën bilancin: Kemi investuar në infrastrukturë, kopshte dhe shkolla

Kandidati socialist deklaroi se është investuar në mandatin e parë në infrastrukturë, në kopshte dhe shkolla.

“Në 2 vitet e qeverisjes Rama kemi bërë 4 kopshte. Janë gjëra të vogla?” u shpreh Rroshi.

Rroshi shpalos projektet: Ja pse kërkoj një mandat të dytë në Kavajë

Moderatori Rakipi ka pyetur Rroshin për planin e ardhshëm 4 vjeçar.

“Kemi një projekt madhështor për stadiumin, një projekt me vlerë 10 milionë dollarë për 15 mijë tifoza. Kemi gati projektin për ujin e pijshëm, pasi edhe në kohën e komunizmit ka pasur probleme me ujin Kavaja. Ne kemi shatërvanë se është bereqet”, u shpreh Rroshi.

Gazetari Rakipi ka insistuar nëse kandidati Rroshi ka projekte për përmirësimin e jetesës së qytetarëve të Kavajës, siç është uji i pijshëm dhe jo vetëm projekte fasadë, siç është shatërvani, Obelisku apo stadiumi.

“Të gjitha rrugët që ka ndërtuar Bashkia e Kavajës kanë ujë. Për pak ditë fillon uji në Qerret dhe në Golem, projekt me vlerë 4.2 milionë dollarë. Fillon tani. Pastaj nisim me Kavajën dhe Komunat që quhet Kavaja e madhe”, ka thënë Rroshi.

Ai sulmoi rivalin e tij demokrat në garë se nuk ka bërë asgjë për Kavajën kur ishte deputet.

“Rrugën që ai nuk e beri kur ishte deputet, Elvis Rroshi e bëri për 2 muaj”, u shpreh kandidati socialist duke treguar edhe fotot e rrugës.

Ai renditi disa projekte që do të jenë prioritare në mandatin e dytë.

“Uji i pijshëm dhe kanalizimet e ujërave të zeza në perferi të Kavajës. Do të realizohet në bashkëpunim me qeverinë. Kemi stadiumin, parkun e madh që ka qenë Ushtria e Kavajës dhe ne do ta bëjmë park”, tha Rroshi.

Rroshi: Mandatin e dytë ndërtojmë tregun industrial, ujë 24 orë për banorët

Ai shtoi se pritet të përfundojë tregu industrial, ku do të vendosen tregtarët që shesin rroba.

“Tregu i fruta perimeve ka mbaruar. Do të bëhet edhe tregu industrial. Këto punë nuk bëhen me shkop magjik”, u shpreh Rroshi.

Ai shtoi se deri në fund të mandatit të dytë do të ketë ujë 24 orë.

“Projekti i Golemit për ujin u bë nga Bashkia e Kavajës. Ne gjetëm një ujësjellës të rrënuar dhe të keqmenaxhuar. Një ujesjëllës që në zonën e plazhit drejtorët, ministrat dhe deputetët nuk paguanin faturat. Sot, që ujësjellësi është te Bashkia janë rritur shumë të ardhurat nga ujësjellësi, i kalojnë 350 milionë lekë të vjetra”,  tha Rroshi.

Ai shpjegoi se Komunat që do t’i shtohen Bashkisë së Kavajës kanë probleme me rrugët, ujin e pijshëm dhe kanalizimet e ujërave të zeza.

“Kemi projekte dhe paratë do i marrim nga qeveria. Ajo do na mbështesë. Këto nuk bëhen me gjethe fiku” u shpreh Rroshi.

Duke komentuar rivalin demokrat në këto zgjedhje, kryetari aktual i Bashkisë lëshoi akuza, ndërsa tregoi edhe fotot ku ishte vendosur një poster i Carës.

“Kandidati demokrat ka prishur fasadat, duke vendosur posterat e tij në ndërtesa që ende nuk kanë përfunduar. Këto bën ai”.

 Rroshi për rivalin: Kavaja e testoi njëherë si deputet, s’bëri asgjë

Gazetari Rakipi ka pyetur Rroshin se çfarë do të bëjë nëse nuk fiton.

“Unë do fitoj. Kandidati tjetër nuk ka projekte. Ai shan Ramën dhe lavdëron Berishën dhe Bashën dhe nuk flet për projekte. Kavaja ia dha një herë votën kur e bëri deputet. Ai nuk bëri asgjë për Kavajën. Ai ka qenë kontribuesi im në fitoren e parë si Kryebashkiak. Ma ka dhënë votën dhe do ma japë prapë se është drejtimi I duhur”, u shpreh Rroshi.

 

Mik me Elvis Rroshin? Cara: Ai quhet Ervin,  por nuk e kam pasur mik

Intervistën e dytë, në studion e emisionit “Të paekspozuarit” moderatori Rakipi e ka zhvilluar me kandidatin demokrat Ëngjëll Cara.

“I kam kërkuar kryetarit në ikje të Bashkisë së Kavajës që të ballafaqohej me mua, por flalori i tij me 10 fjalë nuk ia mundëson”, ka thënë Cara.

Kandidati demokrat ka reaguar ndaj deklaratës së Rroshit se ata kanë qenë miq.

“E vërteta nuk është në krahun e Ervinit dhe jo Elvisit. Ervin është emri që e thërret edhe i ati. Kavajasit e njohin për Ervin. Ervinin nuk e kam pasur mik. Ai ishte i vogël atëherë dhe si simpatizant i PD ka dhënë kontributin e tij. Nuk ka ndodhur që unë të votoj për Ervin Rroshin”, u shpreh Cara.

Cara: Bashkëshortja punonjëse e Bashkisë prej ’96, e pushoi Rroshi

Ai shpjegoi se bashkëshortja e tij ka punuar në bashkinë e Kavajës që në vitin 1996.

“Ka punuar në bashki gjatë kohës që kanë kaluar 4 kryebashkiakë. Rroshi e largoi nga puna për bindjet politike të të shoqit. Ajo ka fituar të gjitha gjyqet”, u shpreh Cara.

Gazetari Rakipi ka pyetur kandidatin Cara për ndihmën ekonomike, të konsideruar si prioritet i tij.

“Është një nga problemet. Por sot problemet janë jo vetëm nga keqmenaxhimi i Bashkisë, por edhe politikat sociale të qeverisë. Unë do merrem vetëm me keqmenaxhimin e Bashkisë. Varfëria është ekstreme në Kavajë. Përveç  800-900 biznese të vetëpunësuar që janë në nivelin e ekzistencës, pjesa kryesore rinia dhe ata që janë aktivë për punë janë të papunë. Kryetari i Bashkisë ka uzurpuar fushën e ndërtimit dhe në Kavajë, ndërton vetëm daja i Ervinit. Nëse ti do të ndërtosh një çati, duhet të shkosh te daja e Ervinit”, u shpreh Cara.

Cara: Sot Kavaja drejtohet nga dy familje

Ai akuzoi se dy familje drejtojnë sot Kavajën.

“Dy familje të vetme drejtojnë Kavajën. Ka nepotizëm. Në bashkinë e Kavajës nuk kishte ndodhur. Unë zotohem se Bashkia e ardhshme e Kavajës do të ketë në administratë të rinj të arsimuar”, u shpreh Cara.

Ai shpjegoi se ka arsye pse banorët e Kavajës duhet ta votojnë projektin e tij.

“E para është arroganca e Rroshit se sot Kavaja është më e varfër sesa ka qenë. Unë mbaj përgjegjësi politike për atë që nuk është bërë. Por më 21 qershor duhet të ndahemi nga ky sistem i Rroshit. Rroshi është eksponent i zgjatimit të Ramës në pushtetin lokal”, deklaroi Cara.

Cara për Rroshin: E mori Bashkinë me 600 mln lekë gjendje, sot ka 2.7 mld lekë fatura të palikujduara

I pyetur nga gazetari Rakipi për punën e Rroshit gjatë 4 viteve të fundit, Cara deklaroi se arritja e vetme është përmirësimi i jetës së tij.

“Ervin Rroshi e mori Bashkinë me 600 milionë lekë gjendje dhe me projekte të tenderuara. Sot Rroshi ka 2.7 miliard lekë fatura të palkujduara. Ai është person që përdor postin për të përfituar, që terrorizon të punësuarit në administratë, që bën të gjitha funksionet në Kavajë, shef rendi, shef arsimi dhe bën shkelje të funksionimit të pushtetit lokal, duke lejuar që të bëhen ndërtime në kundërshtim me ligjin”, ka deklaruar  Cara.

Kandidati demokrat ka deklaruar se në Kavajë janë bërë investime gjatë periudhës së qeverisjes Berisha.

“Problemet me ujërat e zeza janë për shkak të neglizhimit të punës së Bashkisë. Kur merresh me palmat dhe shatërvanin harron çfarë është imediate për qytetin”, u shpreh  Cara.

Cara: Situata në Kavajë kriminale, po importohen votues fiktivë

“Nëse quhet sukses një projekt që bëhet për egon e Ramës, unë nuk mendoj kështu. Ne jemi për një rend prioritetesh. Kemi shkolla pa xhama, probleme me ujin e pijshëm dhe ujërat e zeza. Platforma jonë është që një nxënës i shkolluar është më mirë se një rrugë e shtruar” u shpreh Cara.

Ai akuzoi Roshin se po sjell njerëz nga Tirana nga njësia bashkiake 5,8 dhe 11, nga Rrogozhina, Gosa me kontrata 3 mujore. Për këtë çështje po merret prokuroria”, deklaroi Cara.

Ai shpjegoi se kallëzimin për zhvendosjen fiktive të këtyre njerëzve e ka bërë PD.

“Situata në Kavajë është më dramatike dhe më kriminale se në Durrës”, u shpreh Cara.

Cara flet për borxhet e Rroshit: 80 mln lekë të papaguara për dreka dhe darka

Ai akuzoi se të majtët po bëjnë shown e rradhës me legalizimet.

“Për mua është shkelje flagrante që bëhet fushatë dhe monopolizohet një shërbim publik. Të gjithë kavajasit e dinë sesa duhet të vuash që të marrësh një leje te Dori i Ervinit.

Kryetari në ikje i Bashkisë po bën fushatë me administratën e Bashkisë”, u shpreh kandidati demokrat.

Ai shtoi se Rroshi ka larguar nga skema e ndihmës ekonomike 400 familje vetëm se kanë frigorifer.

“Ka 80 milionë lekë të papaguara për dreka dhe darka për Bajram apo ngjarje të tjera. Çon studentët për fushatë në Sarandë dhe thotë që i çon me lekët e veta, por në fakt janë me fondet e Bashkisë”, ka thënë Cara.

Cara shpalos platformën për Kavajën, ja prioritetet për qytetin

Moderatori Rakipi ka pyetur kandidatin demokrat për prioritetet e tij.

“Qindarkat e buxhetit të Kavajës do të jenë transparente dhe në funksion të jetës së qytetarëve të Kavajës. Rritja e mirëqënies dhe kujdesi ndaj shtresave të ndryshme të shoqërisë do të jenë prioritare. Do bëjmë mirëadministrim të buxhetit të Bashkisë së Kavajës që shkon rreth 3.5 milion euro. Unë do bëj presion pozitiv te qeveria për fonde. Por ka edhe forma të tjera për të gjetur financime nëpërmjet donatorëve”, ka thënë Cara.

Ai komentoi edhe heqjen e Obeliskut nga qendra e Kavajës në formë të dhunshme nga ruspa e INUK të urdhëruar nga Rama.

“Obelisku do të ngrihet në formë respekti. Sot Kavaja nuk ka Obelisk. Të shohim nëse do të vendoset. Nëse kryetari në ikje i Bashkisë do të ishte normal, ta vendoste Obeliskun që ishte dhe më pas të bënte referendum. Nëse qytetarët do të donin te vendosnin një Obelisk tjetër”, deklaroi kandidati demokrat.

Cara shtoi se votat që Rama fitoi dy vite më parë, do t’i kthehen mbrapsht.

Ai argumentoi se Kavaja ka nivelin më të lartë të taksave.

“Do ulim taksat dhe tarifat në minimum. Ne nuk mund të lejojmë që në Golem që ka turizëm sezonal, të kenë taksa”, tha Cara.

“Enveri apo Ervini si e ka emrin nuk ka qenë në Shqipëri” tha Cara duke vijuar bisedën.

” Nuk e di në e ka Enver apo Ervin, nuk i pëlqen si ia ka vënë nëna”, ka shtuar Cara.

Kandidati demokrat theksoi se stadiumi i Kavajës nuk është në pruioritetet e tij.

“Bashkia është familje e madhe. Ne nuk duam të përfitojmë prej saj. Kemi prioritete në investime dhe këto prioritete i përcakton qytetari”, deklaroi Ëngjëll Cara.

I pyetur nga moderatori Rakipi për punën që qeveria Berisha ka bërë në Kavajë, kandidati demokrat shtoi: “25 milionë euro investime ka bërë Berisha në 8 vjet. Ka bërë shumë investime” u shpreh ai.

Cara: Rroshi 2 miliard lekë borxh te OSHEE, s’ka paguar ndriçimin e qytetit

Kandidati demokrat akuzoi se Rroshi nuk ka paguar faturat e energjisë për ndriçimin e qytetit.

“Rroshi ka të paguara energjinë e qytetit të Kavajës. Të tjerët janë futur në burg për këtë. Së shpejti do të dalin edhe provat. Janë 2 miliard lekë të papaguara dhe të pabalacuara”, u shpreh Cara.

Ai u shpreh se kur Rroshi mori detyrën në Bashkinë e Kavajës nuk dinte të firmoste.

“Rroshi firmoste me emer dhe mbiemër se nuk dinte të hidhte firmën”, tha Cara.

Komento