Të Paekspozuarit “Dritëhijet e Ilir Metës”
17.04.2015 6:34
Përditesuar: 17/04/2015, 6:40

Ilir Meta, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë u rrefye në një intervistë ekskluzive në emisionin “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit.

Ai hodhi dritë mbi ngjarjen e fundit që trazuan politikën shqiptare, zgjedhjet lokale dhe projektet për të ardhmen.

I pyetur nga Ylli Rakipi për kandidaturën e Erjon Veliaj për Tiranën, shpallur nga Partia Socialiste vetëm dy orë më parë, Meta ka deklaruar se ka qenë një përzgjedhje e vështirë mes shumë emrash.

“Përzgjedhja e kandidaturës për Tiranën ka qenë e vështirë se ka pasur jo pak kandidatë, dhe e vështirë se ishte një përgjegjësi e madhe. Ndërsa me reformën e re kjo përgjegjësi pothuajse është dyfishuar, jo vetëm për hapësirën e re, por edhe të problematikës.

Prandaj kandidatin do ta shikonim si përzgjedhje për të shënuar plotësisht në shenjë, ku do të kishim një bashki të re të Tiranës. Veliaj ka punuar mirë në Ministrinë e Mirëqënies Sociale, pse të mos ta kishte këtë mundësi”, ka deklaruar Meta.

Akuzat e Doshit, Meta: Pas përjashtimit nga PS, investimi i opozitës absurd

Në pjesën e parë të emisionit u transmetua një material filmik për rrugëtimin politik të Ilir Metës, përfshi ngjarjet e fundit më Tom Doshin.

I pyetur më pas nga gazetari Ylli Rakipi për këtë ngjarje, Meta deklaroi se akuzat e Doshit u bënë pas përjashtimit të tij nga grupi parlamentar i PS dhe opozita tentoi ta shfrytëzonte politikisht.

“Kjo ngjarje është bërë shumë publike për gati 1 muaj që ka qenë në qendër të vëmndjes së opinionit publik. Kjo kryesisht për investimin që bëri opozita për ta shfrytëzuar politikisht siç thotë doktori, si skandalin më të madh në këto 25 vjet. Një investim krejtësisht absurd i opozitës. Kjo akuzë është hedhur në publik, pasi deputeti është përjashtuar nga grupi i PS. Kjo ngjarje është kthyer në dëmin e opozitës dhe këto gjëra nuk janë të mira as për imazhin e vendit”, ka deklaruar Meta.

Ai ka shtuar se kjo është një çështje që i takon drejtësisë.

Akuzat e Doshit, Meta: Opozita synoi të destabilizonte vendin

I pyetur në lidhje me rolin e Mark Frrokut në këtë çështje, Meta u shpreh se kjo çështje nuk i takon atij.

“Ngjarjet që po ndodhin janë tregues që të vendosim filtra për të ardhmen që të përzgjedhim njerëz me integritet në parlament. Nuk ka asnjë rëndësi se çfarë ka thënë Mark Frroku me zotërinë. Kjo është një çështje e tij dhe e drejtësisë, nuk është e imja. Mund të mblidhen sot disa njerëz bashkë dhe të dëmtojnë dikë politikisht, duke iu premtuar gjëra. Qëllimi kryesor i kësaj ngjarje ka qenë destabilizimi i vendit dhe zgjedhje të parakohshme që kërkonte Berisha. Mënyra sesi u përpoq opozita ta përdorte këtë çështje dhe marrëveshjen e saj me deputetin në fjalë tregojnë se synohej destalizimi I vendit”, ka thënë Meta.

I pyetur nga Rakipi nëse kjo ngjarje ka kosto elektorale, Meta e përjashtoi.

“Nuk ka kosto elektorale. Kjo mazhorancë ka treguar vendosmëri për t’i çuar gjërat në vendin e tyre. Do kishte kosto nëse mazhoranca do të pranonte shantazhin që ju bë asaj”, deklaroi Meta.

Kreu i Kuvendit shtoi se historitë me video janë histori shantazhi.

“Lindin shumë pyetje kur bëhen publike këto video. P.sh video me Tomën a ka vajtur te prokurori? Këtu nuk kemi të bëjmë me përpjekje për të denoncuar një fenoment të caktuar, por me lojëra për të shnatazhuar dikë për interesa që le t’i zbardhë drejtësia”, u shpreh Meta.

Meta: Në parlament nuk ka vetëm sherrëxhinj

Gazetari Rakipi pyeti Kreun e Kuvendit për përbërjen e parlamentit.

“Unë kam qenë kundër kësaj reforme. Si LSI kemi qenë pro listave të hapura. Kemi disa ngjarje, disa zhvillime, disa kontestime për figurën e disa deputetëve që vë në pikëpyetje parlamentin, në mënyrë të padrejtë do të thoja se shumica janë njerëz me vlera dhe begraund intelektual dhe shoqëror. Fryma konfliktuale krijon idene se shumica janë sherrëxhinj. Kemi dy tendenca që kanë ecur jo në drejtimin e duhur. Qytetarët kanë ecur në drejtimin e duhur pasi kanë pritshmëri më të madhe nga parlamenti. Ndërsa cilësia e parlamentit lë për të dëshiruar. Kjo përfaqëson një sfidë për ne, për të përmirsuar imazhin e parlamentit”, u shpreh Meta.

Opozita po luan me dekriminalizimin, në LSI nuk ka figura me probleme

I pyetur lidhur me procesin e dekriminalizimit, Meta deklaroi se opozita po përpiqet të luajë politikisht.

“Nëse një deputet mban një qëndrim kundër opozitës dhe pro mazhorancës, ai cilësohej si koka e krimit. Kur ky deputet merr një pozicion tjetër, ai kthehet në denoncues të korrupsionit dhe etalon të pastrimit të figurës së deputetit. Pra, opozita kërkonte një justifikim. I qëndrojmë marrëveshjes që të ecim përpara me këtë proces, që të marrim ekspertizën e BE dhe Komisionit të Venecias. Ne jemi të hapur të vazhdojmë në këtë proces, por opozita duhet të ketë kujdes se humbet besueshmërinë e këtij procesi. Duhet të bashkëpunojmë që procesi të ecë përpara në mënyrë serioze”, ka deklaruar Meta.

I pyetur nga gazetari Rakipi për deputetët e LSI, Meta u shpreh se “ne nuk kemi figura me probleme në të kaluarën. Ne tregojmë kujdes me përzgjedhjen. Akuzat janë të karakterit politik dhe propagandistik, por ne mbetemi të hapur për të verifikuar faktet”.

I pyetur nëse brenda grupit të PD ka elementë problematikë, Meta deklaroi se nëse ka të tillë duhet të përgjigjen para drejtësisë.

“Duhet të ecim në mënyrë ligjore drejt një procesi të besueshëm. Nëse e kthejmë në lojë politike, për të gjetur edhe gjëra që nuk ekzsitojnë gjëkundi, kjo nuk vlen. Ne i qëndrojmë marrëveshjes së dhjetorit. Sa herë që kjo çështje synohet të kthehet në luftë politike, ajo humbet besueshmërinë”, u shpreh kreu i Kuvendit.

Ngjarja me deputetët Doshi dhe Frroku, përgjegjësi e politikës

Ai pranoi se ngjarja e krijuar me deputetët Doshi dhe Frroku është përgjegjësi politike.

“Përgjegjësia është politike. Ne jemi angazhuar më 24 dhjetor për një proces që do të kërkojë një ndryshim të kodit. Me qëllim që parlamenti i  ardhshëm të ketë më shumë vlera dhe të mos ketë ngjarje të pahijshme”, u shpreh Meta.

Për dekriminalizimin duhet ndërhyrje në kod, jo më vota me të “fortët”

Gazetari Rakipi pyeti kreun e Kuvendit sesi do të bëhet dekriminalizimi.

“Ky është një proces politik, që nuk do të synojë vetëm dekriminalizimin, por edhe filtrimin e figurave që zgjidhen në parlament dhe në poste të larta publike. Kjo bëhet duke ndryshuar kodin, mënyrën sesi përzgjidhen deputetët apo duke vendosur disa kufizime”, është shprehur Meta.

Ai shtoi se “ka një bindje tani se kur votat merren me të fortë, humbasin disa vota të tjera pasi njerëzit nuk duan që politika të bëhet nëpërmjet focës, manipulimit”, u shpreh Meta.

Meta: Duhet reduktuar numri i deputetëve në Kuvend, më shumë cilësi 

I pyetur për ndryshime kushtetuese për parlamentin, Meta deklaroi se ky është një hap që duhet ndërmarrë për një funksionim më të mirë të parlamentit.

“Duhet bërë pas reformës territoriale e administrative. Vetë parlamenti ka nevojë për një përshtatje dhe një reduktim të numrit të deputetëve që do të sillte një cilësi më të mirë të deputetëve, të përzgjedhjes së tyre”, ka deklaruar Meta.

Bashkëqeverisja me PD, Meta: Ndarja me Berishën, një ndarje xhentilmenësh

Gazetari Ylli Rakipi pyeti Ilir Metën për bashkëqeverisjen 4-vjeçare me Sali Berishën.

“Ishte zgjidhja e vetme që kishte LSI për të luajtur një rol stabilizues. LSI realizoi një rol të vështirë. Ne nuk kemi pasur debat për Ministri, Drejtori apo emërime. Ka qenë një marrëveshje që ka pasur çështje shumë të rëndësishme, si stabilizimi i vendit. Kur je në një koalicion qeverisës dhe nuk je forca kryesore e tij, je në pozicion delikat. Por qytetarët kanë vlerësuar rolin pozitiv që ka pasur LSI dhe kjo u tregua qartë në zgjedhjet 2013, ku PD u ndërshkua, ndërsa LSI pati rritje të votave pavarësisht se kishte qenë në koalicion qeverisës. Ka ndodhur një proçes politik, shumë i moralshëm pasi LSI ka qëndruar në këtë koalicion dhe ka qenë luajale deri 2 javë përpara se të merrte vendimin sesi do të shkontë në zgjedhje të përgjithshme. Ndarja me Berishën ka qenë një ndarje xhentilmenësh, ai e ka mirëkuptuar. Ai ka qenë i përgatitur për këtë bisedë”, deklaroi Meta.

Meta: Ja pse Berisha flet pa kufi dhe pse i përmenda djalin në Kuvend

Gazetari Rakipi ka pyetur kreun e Kuvendit lidhur me faktin se përse e lejon Berishën të flasë pa kufi në foltoren e parlamentit, kur ka një rregullore që është e njëjtë për të gjithë.

“Qëllimi ka qenë dhe është vetëm një, që opozita të thotë fjalën e saj. Unë nuk jam aspak i kënaqur që të dëgjoj një retorikë që nuk na bën mirë që jemi në atë sallë, megjithatë të gjithë do të marrin vlerësimin që meritojnë në bazë të sjelljes dhe respektimit të rregullave të demokracisë”, ka deklaruar Meta.

Moderatori Rakipi ka pyetur Metën lidhur me deklaratën e tij në sallën e Kuvendit për djalin e Berishës.

“Është e rëndësishme të kemi parasysh që përmendja e djemve, grave është një gjë që nuk më pëlqen, por ishte një mesazh shumë modest”, ka thënë Meta.

Meta: Bashën e respektoj si kryetar të PD, por po shformohet si politikan

Ai ka shtuar se raporti që ka me demokratët është shumë i mirë, brenda parlamentit apo në jetën e përditshme.

“Unë do ta respektoj zotin.Basha si kryetar i PD. Por më ka bërë çudi për diçka që ka thënë në Kukës. Unë kam menduar se ai do të ishte një fenomen pozitiv se kishte studiuar jashtë, por më vjen keq kur shoh deformime të tilla të personalitetit të një politikani, që duhet të rritet dhe jo të shformohet”, ka thënë Meta.

Meta: Me Ramën raport konstruktiv, në politikë morali i rëndësishëm

I pyetur për raportin me Ramën, Meta ka deklaruar se ai është një raport konstruktiv.

“Qytetarët vlerësuan aktin politik të bashkëpunimit dhe na e dhanë mundësinë për qeverisje. Në politikë morali është i rëndësishëm pasi ka të bëjë me të ardhmen e qytetarëve”, ka deklaruar Meta.

Raporti me Nishanin, Meta: Ka debate, por në përgjithësi bashkëpunues

Gazetari Rakipi ka pyetur Metën edhe për marrëdhënien me Presidentin Nishani.

“Sigurisht që ka debate, kjo është normale në një demokraci, pasi mendimet nuk mund të jenë uniforme. Nëpërmjet debatit avancojnë idetë. Në këtë raport, edhe debatet me Presidentin të shprehura nëpërmjet akteve, dekretim apo mosdekretim, janë normale. Unë mendoj se ka mjaft përvoja pozitive bashkëpunimi, si për rizgjedhjen e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese apo zgjedhja konsensuale për Guvernatorin. Ashtu siç ka edhe raporte të tjera, që edhe nga ana e mazhorancës mund të evitohen, që disa herë janë edhe të stafeve. Por në përgjithësi raporti me Presidentin është bashkëpunues”, ka thënë Meta.

I pyetur për Prokurorinë dhe faktin se për herë të parë shkoi në këtë institucion për të dëshmuar edhe Berisha, Meta deklaroi se kjo duhej bërë përderisa i dha mbështetje deputetit Doshi.

“Mesa di unë deklaroi në prokurori se ia kishte thënë ngjarjen Paloka e kështu gjërash”, u shpreh Meta.

Reformat në 2 vjet qeverisje, Meta: Të shumta, por afatgjata

Gazetari Rakipi ka pyetur Metën edhe për reformat e qeverisë në këtë 2 vjeçar, kryesisht ato ekonomike.

“Qeveria është në rrugën e duhur, por nuk duhet harruar se në çfarë faze e mori qeveria e re vendin. Reforma administrative territoriale p.sh do të japë efekte në afatgjatë. Ka mjaft zhvillime pozitive, si në bujqësi ku ka edhe shumë të punësuar. Është bërë një reformë e rëndësishme në energji, që do të japë efektin e saj. Kemi bërë reformën e pensioneve që është përshëndetur nga Banka Botërore. Nuk kanë qenë gjëra të lehta për t’u vendosur në rrugën e duhur, pasi ishte situata kaotike. Duhet vazhduar për lehtësimin e burokracive që të vijnë investitorë, si dhe të krijohen vende të reja pune”, është shprehur Meta.

Eksodi, Meta: Qytetarët po bien pre e një rrjeti trafikantësh rajonalë

I pyetur lidhur me largimet e mijëra qytetarëve shqiptarë kohët e fundit, Meta ka deklaruar se ky është një proces që ndodh edhe në vendet e tjera.

“Qytetarët tentojnë të shkojnë drejt një standardi më të lartë. Unë edhe para pak ditësh iu bëra thirrje qytetarëe që të mos bëhen preh e një rrjeti trafikantësh rajonalë, që po Iimanipulojnë duke shfrytëzuar vështirësitë e tyre këtu dhe aspiratat për diku tjetër”, ka thënë Meta.

Ai ka shtuar se në Shqipëri ekzsitojnë mundësitë për të prespektivë më të mirë nëse punojnë të gjithë sëbashku.

Punësimi i militantëve, Meta: Çdo qeveri ka thyer rregullat e administratës

I pyetur për punësimin e militantëve nga LSI, Meta deklaroi se kjo nuk është e vërtetë.

“Asnjë qeveri nuk ka respektuar rregullat e funksionimit të administratës publike si kjo qeveri. Çështja e punësimit është prespektiva për të hapur vende pune. Nuk është çështja të heqim ca njërëz dhe të vëmë ca të tjerë, se kjo nuk zhvillon ekonominë”, ka thënë Meta.

Duke pranuar se mund të ketë raste kur janë ekspozuar edhe në media fakte të drejtuesve që kanë pasur probleme në të kaluarën, por ka pasur reagim nga qeveria.

“Kjo qeveri ka vullnetin për konsolidimin e administratës publike”, ka deklaruar Meta.

Dekriminalizimi, Meta: Kemi nisur verifikimin e kandidatëve për Kryebashkiakë

I pyetur për zgjedhjet vendore dhe të kaluarën e kandidatëve, Meta ka deklaruar se nisur procesi i verifikimit të tyre.

“Kushdo që ka fakte për kandidatë të caktuar, t’i ekspozojë. Por jo për qëllime politike, por për të ndihmuar procesin. Le të jenë zgjedhjet vendore që të rrisin standardin e të zgjedhurve”, ka thënë Meta.

Ai ka shtuar se si mazhorancë kanë kandidatë për 61 bashki, por LSI do të propozojë kandidatë për 15 bashki.

“Pati një raport konsultimesh që orientohej te rezultatet elektorale të zgjedhjeve të fundit dhe duke iu dhënë prioritet kandidatëve. Kam pritshmëri pozitive për zgjedhjet vendore”, ka deklaruar Meta.

Zgjedhjet, Meta: Në terren nuk reklektohet acarimi i niveleve të larta të politikës

Ai ka shtuar se rezultati nuk është shumë i rëndësishëm, pasi janë zgjedhje lokale dhe bëhet fjalë për përzgjedhjen e menaxherëve lokalë.

“Nuk pres nga zgjedhjet lokale ndonjë acarim dhe nuk do të reflektohet në terren acarimi në nivele të larta i politikës”, ka shtuar Meta.

Ai ka thënë se “nuk ka vënë kusht për ndonjë bashki dhe se procesi ka qenë bashkëpunues”.

Gazetari Rakipi ka pyetur Metën nëse i ka shkuar në mendje për t’u rikthyer në Partinë Socialiste.

“Historia asnjëherë nuk përsëritet njësoj. Jemi në një raport të natyrshëm, organic me Partinë Socialiste dhe socialistët, i cili absolutisht është një raport i konsoliduar dhe një raport që sheh drejt një të ardhme të përbashkët për të përballuar ato sfida që kemi marrë përsipër me sukses dhe gjithëpërfshirëse”, ka deklaruar Meta.

 

Komento