Në Të Paekspozuarit “Koha e Grave”
07.05.2015 7:07
Përditesuar: 08/05/2015, 11:20

Shoqëria shqiptare ka nevojë për më shumë modele të grave në politikë. Eshtë ky mesazhi që kanë dhënë disa nga deputetet kryesore të partive politike në emisionin ‘Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit në Ora News mbrëmjen e 7 majtit 2015.

Të ftuara në studio për të diskutuar për zonjat që kandidojnë në këto zgjedhje vendore ishin Mimi Kodheli, ministre e Mbrojtjes , Valentina Leskaj, deputete e PS, Majlinda Bregu, deputete e PD dhe Mesila Doda, deputete e PD.

Në pjesën e parë të emisionit u transmetua një material filmik mbi fushatën në qytetin e Shkodrës, ku për herë të parë do të ketë një kryetare bashkie femër, e cila do të dalë nga gara mes kandidates socialiste Keti Brazhdari dhe asaj demokrate Voltana Ademi.

Më pas, vijoi biseda në studio, duke u fokusuar tek dy modelet e ndryshme që sjellin kandidatet në Shkodër.

Disa nga thëniet e të ftuarave në studio

Kodheli: “Kam besim te Rama, Meta i ekuilibruar, Berisha me ka zhgënjyer”
Doda: “Berisha ka drejtuar politikën shqiptare, Meta korrekt dhe mbijetues ne politikë.Rama i fokusuar vetëm tek imazhi”
Doda: “Brenda partive nuk ka garë”
Doda: “Modeli i grave duhet të promovohet”
Bregu: “Në parim nuk jam dakord që të garojnë dy gra”
Kuotat, Bregu: “Mekanizëm për të rritur përfaqësimin, Leskaj: Masë e përkohshme”

“Gratë me përjashtim të ndonjë shembulli nuk kanë krijuar klimën e ashpër në politikë. Gratë mund të sjellin një klimë tjetër. Të dy zonjat kanë një investim të tyrin personal, kanë ditur të ngrenë biznes, kanë ditur të punojnë dhe përfaqësojnë gra intelektuale të Shkodrës. Ky është një ogur dhe një mesazh i mirë. Unë besoj se me nxehjen e fushatës dhe me kalimin e ditëve do të ketë një klimë më të nxehtë se edhe kur dy protagonistet janë të këtij niveli, janë të tjerë aktorë që nxehin situatën”, ka thënë Leskaj.

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli deklaroi se gratë mund të sjellin modele të reja në politikë.

“Ashpërsia e fushatës qëndron edhe në demokraci të zhvilluara. Por ashpërsia e fushatës nuk është e barabartë me ofendimin, mungesën e programit dhe me faktin se aktorë dhe faktorë të tjerë të të çojnë ty në një pozicion që ti nuk do të doje kurrë që ta gjeje veten. Gratë mund të sjellin modele të reja duke qenë brenda dhe jashtë politikës”, ka deklaruar Kodheli.

Doda: Modeli i grave duhet të promovohet

Deputetja demokrate Mesila Doda ka deklaruar se institucionet janë ndërtuar sipas modelit mashkullor dhe jeta politike dhe shoqërore ka nevojë për modele pozitive që sjellin gratë. ‘Prandaj na duket se është shmangie nga modeli normal me fushatën në Shkodër. Më duket se edhe në Tiranë është kjo frymë pozitive. Edhe kur gratë nuk hedhin benzinë, hedhin burrat për to. Shqiptarët janë lodhur nga retorika e egër dhe që e tejkalon mënyrën tonë të përditshme të të sjellurit. Prandaj, modele të tilla duhet të promovohen edhe më pas. Institucionet dhe shteti duhet të ridimensionohen në përmasat e gruas, me sensibilitetet e gruas”, ka deklaruar Doda.

Bregu: Në parim nuk jam dakord që të garojnë dy gra

Ndrësa deputetja tjetër demokrate Mjalinda Bregu u shpreh kundër përballjes së dy femrave në një garë elektorale.

“Në parim nuk jam dakord që të garojnë dy gra përballë njëra tjetrën , pasi ka shumë pak gra që marrin përsipër të bëhen pjesë e politikës dhe nuk duhen ezauruar. Kryetarët e partive janë burra dhe asnjë nuk jep një zonë ku të kandidojë për zgjedhje lokale apo të përgjithshme një grua nisur nga kuotat, por pasi janë të sigurtë se ajo do të fitojë”, ka deklaruar deputetja Bregu.

Ministrja e Mbrojtjes Kodheli ka deklaruar se shoqëria shqiptare përballet aktualisht më shumë probleme të trashëguara në 25 vite tranzicion.

“Ka ende probleme me varfërinë, papunësinë, korrupsionin dhe shtetformimin. Ajo që është më e dukshme është mungesa e respektit ndaj njëri-tjetrit dhe vijmë pastaj te abuzimi me lirinë. Duhet të vëmë të gjithë nga një gur themeli. Unë besoj se qeveria sot ka një tjetër përqasje ndaj tranzicionit dhe me reformat që po kryejmë duhet t’i themi stop disa fenomeneve, si abuzimi me ligjin, me shërbimin që shteti jep, me pronën dhe lirinë e tjetër kujt, abuzimi me më të voglin dhe më të dobtin dhe e gjithë kjo e bën shoqërinë shqiptare të qëndrojë në udhëkryq”, ka thënë Kodheli.

Kuotat, Bregu: Mekanizëm për të rritur përfaqësimin, Leskaj: Masë e përkohsshme

Moderatori Rakipi ka pyetur panelistet lidhur me kuotat. “Kuotat janë mekanizmi që ju duhej shoqërive si jona për të rritur përfaqësimin e grave në politikë. Në rast se në parim nuk jam dakord me sistemin e kuotimit, po aq nuk jam dakord që një grua vetëm se është grua duhet të marrë post, apo të jetë pjesë e një gare, kur në rradhë para saj mund të jetë një burrë më i zoti. Ne kemi nevojë për modele cilësore të grave në politikë”, ka deklaruar deputetja Bregu.

Ndërsa për deputeten socaliste Leskaj, kuotat janë një masë e përkohsshme. “Nuk është kuotë për gratë, por kuotë gender. Pra, as gratë dhe as burrat nuk duhet të jenë më pak se 30%. Por në nivelet që kemi sot në administratën publike, do të vijë shpejt koha që burrat do të kenë nevojë për kuotë. Por kjo është një masë e përkohsshme, që ka dhënë një rezultat konkret. Sot është trefishuar numri i grave në parlament”, ka deklaruar Leskaj.

Ajo ka shtuar se lidhur më cilësinë, ajo është problem kryesisht për burrat në parlament. “Ende e gjithë shoqëria është mësuar me këtë steriotip dhe do të duhet kohë. Kuota është vënë edhe në shoqëri të tjera, me shoqëri civile shumë më të zhvilluar. Produkti që ka dhënë kuota në parlament dhe administratë është që sot kemi 49% më shumë përfaqësim. Besoj se kjo i bën mirë politikës dhe për pasojë, vendit. Gratë janë më të predispozuara të dëgjojnë për problemet që ka vendi”, ka shpjeguar Leskaj.

Doda: Brenda partive nuk ka garë

Deputetja demokrate Mesila Doda ka deklaruar se për shkak të sistemit, në partitë politike nuk ka garë.  “Partitë politike nuk i kanë respektuar kuotat dhe ndaj sot kanë problem të gjejnë sot gra edhe për Këshillat Bashkiakë. Brenda partive nuk ka garë. “, ka deklaruar Doda.

“Ky nuk është një problem i grave dhe burrave, por i sistemit  dhe zhvillimit të shoqërisë shqiptare. Gratë e kanë të vështirë rrugën në të gjithë botën. Italia ka statistika të frikshme të dhunës ndaj grave”, ka thënë Kodheli.

Kodheli: Kam besim te Rama, Meta i ekuilibruar, Berisha me ka zhgënjyer

Moderatori Rakipi ka pyetur deputetet në panel që të japin një opinion mbi liderët e politikës Berisha, Meta dhe Rama.

“Edi Ramën e besoj në atë që bën, e mbështes prej vitesh, e njoh herët dhe mund të them edhe gjysmë shekulli,  besoj fort te gjëja që bën, ia kam dhënë besimin dhe vazhdoj ta mbështes sepse është njeriu i duhur për Shqipërinë në këtë moment. Vlerësoj shumë ekuilibrin e Ilir Metës, edhe 3 vjet më parë, ndërsa për ish kryeministrin dhe ish presidentin e vendit Berisha është individi që më ka zhgënjyer më shumë se edhe atë e njoh personalisht. “, ka deklaruar Kodheli.

Leskaj: Rama punëtor, reformator. Meta ndryshoi filozofinë e Parlamentit, për Berishën nuk kam koment

“Për Edi Ramën kam mendimin se është shumë punëtor, reformator, ka vullnet të jashtëzakonshëm për të bërë gjëra, edhe me kosto për partinë. Gjithmonë reformat kanë një kosto dhe ka një vështrim afatgjatë . Kam pasur guximin për t’i thënë kritikat që kam pasur edhe në grup parlamentar, edhe në komision parlamentar si rasti i buxhetit të arsimit apo akcizave.  Për zotin Meta kam vlerësim maksimal për mënyrën e drejtimit të parlamentit. Parlamenti ka ndryshuar në filozofi, në koncept dhe në mënyrën e drejtimit. Kjo është një gjë e dukshme. Për zotin Berisha, mund të them se ditën e parë që hyra në parlament për të prezantuar programin si ministre e punës dhe dëgjoj ulërima shokante dhe pashë zotin Berisha. E kam të vështirë të bëj komente nisur edhe nga kjo eksperiencë, kur një grua hyn për herë të parë në parlament dhe vija nga shoqëria civile”, ka deklaruar Leskaj.

Bregu: Berisha qënie e fuqishme, Rama-Meta çift i palumtur politik

‘Unë ka  qenë ministre për 7 vjet me Berishën dhe do t’i shpreh mirënjohjen time për mundësinë që më dha për të qenë edhe pjesë e rrugës drejt integrimit në BE. Nuk ka qënie politike më të fuqishme se Berisha . Ai pasionin më të madh e ka të bërit politikë. Ai është figura e liderit hero në krye të një partie. Sot nuk është më koha e heronjve në krye të partive. Berisha është 24 orë një qënie politike. Për dy figurat e tjera, Rama dhe Meta do të thosha se janë një cift i palumtur që janë të detyruar të rrinë bashkë, janë një cift i palumtur politik. Nëse do më pyesje 2 vjet më parë do të kisha mendim tjetër për këta të dy”, ka deklaruar Bregu.

Doda: Berisha ka drejtuar politikën shqiptare, Meta korrekt dhe mbijetues ne politikë. Rama i fokusuar vetëm tek imazhi

“Të tre personazhet i njoh personalisht që në vitet ’90. Për të kuptuar Berishën në të gjithë dimensionin e vet duhet të kalojnë disa vite. Ka vendosur disa themele në shtetin shqiptar, por unë do vazhdoj ta shihja si një personazh që duhet të punonte për historinë dhe jo për të sotmen. Edhe gjuha që përdor nuk i përshtatet kohës, atë që ke përballë nuk duhet ta zhdukësh, është kundërshtari yt dh jo armiku. Ka një koncept tjetër politika sot. Por vazhdoj të mendoj se duhet të shkëputemi disa vjet për të kuptuar atë që ka bërë dhe nuk ka bërë në shtetin shqiptar, por është një personazh që ka drejtuar politikën shqiptare. Sot edhe është edhe nuk është, dhe ky është një ngërc. Me Metën kam punuar për pak kohë dhe është shumë korrekt, është mbijetues në politikë, por eshte shumë majtës, më majtas se PS. Rama ka një paison, por nuk duhet të mbetet vetëm aty. Mënyra sesi është sjellë në këto 2 vjet ka treguar se ka marrë vendime aty për aty, duke u fokusuar te imazhi. Vetëm Rama nuk e ka besuar gjendjen e rëndë të ekonomisë dhe populli  kalon ditë të vështira. Nëse nuk shpik një mekanizëm që të ngrejë ekonominë, e ka të vështirë të ecë përpara”, ka deklaruar Doda.

Të pyetur nga moderatori Rakipi sesa aktive dhe pjesëmarrëse janë gratë, deputetja socialiste Leskaj ka deklaruar se “futja e grave në këshillat bashkiakë është një hap për t’i përgatitur ato për më pas. Ky është detyrim i shoqërisë”. Por sipas saj, ky nuk është fenomen vetëm shqiptar.

Hapja e dosjeve, Doda: Ligji që sapo u miratua, ju jep më shumë të drejta shantazhi

Gazetari Rakipi ka pyetur deputeten Doda për hapjen e dosjeve. “Unë kërkoj veprat penale, kush i ka bërë kujt dëm. Kjo është ajo që unë kërkoj. Ky është një kalvar prej shumë vitesh ku Shqipëria endet dhe nuk mbaron. Ai draft që erdhi nga shoqëria civile dhe u mbështet nga unë dhe deputeti Idrizi, mund të punohej në parlament dhe nuk duhet të trajtohej si si një iniciativë që dua ta kem nën kontroll dhe të mbroj personat e inkriminuar. Ligji që sapo u miratua, ju jep më shumë të drejta shantazhi. Sot kryetari mund të marrë më shumë informacion për ata që do të fusë në lista, një ministër mund të marrë informacion për vartësit dhe nuk dihet se për çfarë do ta përdorë”, ka deklaruar Doda.

Bregu: Ne jemi të papjekur politikisht

Moderatori Rakipi ka pyetur deputetet për rolin e madh dhe aferat politike që kanë femrat pranë personazheve të njohura, kryesisht kryeministrave shqiptarë. “Në vite kemi bërë kaq shumë akuza ndaj njëri tjetrit, edhe kur  nuk i kemi besuar vetë, sa në fund të ditës gjysma nuk janë të vërteta. Ne jemi të papjekur politikisht. Fjalën e fundit për të shpëlarë akuzat që bëjmë ndaj njëri-tjerit duhet ta kenë institucionet. Por institucionet nuk kanë funksionuar mirë pasi nuk kemi pasur besim për t’i ndërtuar bashkë”, ka deklaruar Bregu.

Deputetja socialiste Leskaj e vuri theksin te arsimimi i grave. “Cështja e edukimit është një nga arsyet e varfërisë. Ka varfëri te gratë, ka dhunë”, ka deklaruar Leskaj.

Në foto: Majlinda Bregu në emisionin "Të Paekspozuarit"

Në foto: Majlinda Bregu në emisionin “Të Paekspozuarit”

Në foto: Mimi Kodheli në emisionin "Të Paekspozuarit"

Në foto: Mimi Kodheli në emisionin “Të Paekspozuarit”

Në foto: Valentina Leska në emisionin "Të Paekspozuarit"

Në foto: Valentina Leska në emisionin “Të Paekspozuarit”

Në foto: Mesila Doda në emisionin "Të Paekspozuarit"

Në foto: Mesila Doda në emisionin “Të Paekspozuarit”

Komento