Të Paekspozuarit “Gjergj Bojaxhi, kandidati tjetër”
15.05.2015 7:09
Përditesuar: 15/05/2015, 7:22

I ftuar në emisionin ‘Të paekspozuarit” të Ylli Rakipit, Gjergj Bojaxhi, kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës ka shpjeguar projektin e tij për qeverisjen e kryeqytetit.

Ai deklaroi se do t’u shërbejë qytetarëve ndryshe nga qeverisja e deritanishme që ka qenë në shërbim të një grupi të ngushtë biznesesh dhe klientësh.

Dy kandidatët e tjerë në garë, Erjon Veliaj dhe Halim Kosova, Bojaxhiu i konsideroi fotokopje të kryetarëve të tyre që rrënuan Tiranën për 13 vjet.

Emisioni “Të Paekspozuarit” mbrëmjen e 14 majit 2015, titullohej “Kandidati tjetër”

Në pjesën e parë u transmetua një dokumentar mbi fushatën e kandidatit Bojaxhiu dhe nismës “Ne Tirana” që e mbështet atë dhe që përbëhet nga vullnetarë.

Sipas organizatores së nismës “Ne Tirana”, Irene Margariti, kostoja e fushatës së Bojaxhiut deri më tani është më pak se 1 milion lekë dhe ky fond është kontribut i grupit nismëtar dhe miqve të ngushtë të nismës

Qeverisja e Tiranës, peng i bizneseve të partive

Më pas, Gjergj Bojaxhiu ka shpjeguar arsyet pse duhet që qytetarët e Tiranës të votojnë për të.

“Ka ardhur koha që qytetarët që duan të jetojnë në Shqipëri dhe që janë të zhgënjyer nga partitë politike të votojnë për një kandidat të pavarur. Problemet e Tiranës janë në rradhë të parë politike dhe projekti im sigurisht është politik dhe i një morali të ri politik. Fakti që sot ne kemi një qytet me mungesë çerdhesh, shkollash e kopshtesh është pasojë e korrupsionit politik që kemi dhe ne duhet për ta zgjidhur këtë problem, të zgjidhim themelin e këtij problemi.

Duke pretenduar dhe duke menduar që nga qeveria qendrore do të na vijnë fonde, ne nuk do ta zgjidhim problemin. Në Tiranë ne kemi pasur një qeverisje që i ka shërbyer bizneseve të partive dhe grupeve klienteliste dhe jo qytetarëve. Kjo është arsyeja që kemi një qytet më pak europian dhe sot nuk kemi asnjë objekt, asnjë zonë apo lagje të Tiranës të cilin gjatë 25 viteve e kemi ndërtuar, projektuar dhe zhvilluar nga fillimi dhe që të jemi krenar që i kemi shtuar një vlerë qytetit”, ka deklaruar Bojaxhiu.

Politika, pengesë per zhvillimin e kryeqytetit

Sipas Gjergj Bojaxhiut, partitë politike janë bërë pengesë për zhvillimin.

“Ne jemi kundër këtyre partive politike që sot janë bërë një bashkim të ngushtë njerëzish që nuk përfaqësojnë interesat e elektoratit të tyre, por të një grupi të ngushtë biznesesh”, ka shpjeguar Bojaxhi.

Sondazhi i Ora News dhe IPR Marketing

Ai ka komentuar edhe rezultatet e sondazhit të publikuar nga RTV Ora News në bashkëpunim me IPR Marketing, ku Bojaxhi merrte 12.5% të vota të kryeqytetit.

“Sondazhi tregoi se kemi nevojë për figura të reja dhe ky është një fillim drejt këtij ndryshimi që shoqëria ka nevojë”, u shpreh Bojaxhiu.

Veliaj-Kosova, fotokopje të Bashës dhe Ramës që lanë Tiranën të mjeruar

I pyetur nga gazetari Rakipi, Gjergj Bojaxhi, ka komentuar edhe dy kandidatët në garë, Erjon Veliaj dhe Halim Kosova.

“Janë kandidatë që karriera e tyre politike nuk varet nga qytetarët e Tiranës, por nga kryetarët e tyre, të cilët nuk kanë dëgjuar as anëtarësinë e tyre. Këta dy kryetarë partish e kanë qeverisur Tiranën në 13 vjet nga 23 vjet që po qeveriset Tirana në këtë periudhë demokracie. Ata që e pëlqejnë atë Tiranë të qeverisur nga këta dy kryetarë, i kanë edhe dy fotokopjet e tyre. Të tjerët që nuk e pëlqejnë këtë mënyrë administrimi, kanë mundësi të zgjedhin një mundësi tjetër që Tirana të bëhet një qytet ku mund të jetohet”, ka deklaruar Bojaxhiu.

Për ndryshimin e Tiranës, duhet edhe votë ndryshe

Ai shtoi se ne nuk mund të ndryshojnë qytetin e Tiranës, duke votuar siç kemi votuar më parë.

“Duhet votuar ndryshe. Pasi nuk vjen qeverisja dhe shërbimi ndryshe, nëse nuk votojmë ndryshe. Tirana ka nevojë për një individ me karakter ekonomik dhe politik. Nëse kemi kandidatë që në të kaluarën kanë mbrojtur interesat e qytetarëve gjatë kohës që kanë aderuar në parti, do të ishte e kënaqshme. Por këtë nuk e kemi parë me këta kandidatë dhe është normale që të presim që këta kandidatë të bëjnë të njëjtën gjë që kanë bërë edhe kryetarët e tyre. Ne nuk mund të tolerojmë më të kemi një qytet shumë të ndotur, me shkolla me dy turne”, ka deklaruar Bojaxhi.

Puna si Kryebashkiak do nisë me referendum për gjërat që duan qytetarët

I pyetur nga moderator rakipi, Gjergj Bojaxhiu ka shopjeguar se ku do të nisë puna e tij në rast se do të zgjidhet kryetar Bashkie.

“Puna për ta ndryshuar Tiranën fillon me integritetin dhe transparencën. Fillon me referendum dhe konsultime me qytetarët. Nëse nuk e bëjmë këtë gjë do të kemi një qytet problematik. Puna fillon me një marrëdhënie të re me pronën private, duke ndryshuar mënyrën sesi do e zhvillojmë qytetin. Duke vendosur standarde sesi duhet ta qeverisim qytetin”, është shprehur Bojaxhiu.

Prioritetet e Bojaxhi nëse merr drejtimin  e Bashkisë 

Ai renditi prioritetet kryesore.

“Integriteti, që do të thotë se pastrimi i qytetit nuk do të bëhet më nga kompani që financojnë fushatën e partive, por nga kompani që pastrojnë qytetin, ose që nuk do të lejojmë që të asfaltojmë rrugën dhe të prishet për 1 vit. Në çdo element nuk e rregullojmë dot qytetin nëse nuk e zgjidhim dot këtë problem, pasi na ka pllakosur korrupsioni dhe klientelizmi”, ka thënë Bojaxhiu.

Ai shtoi se gjëja e parë që do të bëjë nëse zgjidhet kryetar është zhvillimi i një referendum për gjërat që duan qytetarët.

“Unë e di që nëse kryetari i Bashkisë së Tiranës do që qyteti të mos jetë më pre e bizneseve dhe klientelizmit, me votën e popullit mund të ngreje një qytet të ri. Të gjitha palët janë pjesë e pazareve dhe nëse kemi një palë të interesuar për qytetarët, kjo është e mundur të bëhet.”, ka thënë Bojaxhiu.

Ai shtoi se qytetarët nuk ndihen të përfaqësuar.

Puna e Bashës dhe projekti për  bulevardin e Tiranës 

I pyetur nga moderatori Rakipi për punën e Lulzim Bashës në krye të Bashkisë dhe deklaratat e tij se puna për Bashkinë është penguar nga qeveria, si rasti i zgjatimit të bulevardit, Bojaxhiu ka deklaruar se në parim projektet e Bashës nuk janë të gabuara, por  mënyra sesi ato janë ekzekutuar kanë qenë klienteliste.

“Basha nuk ka bërë asgjë për qytetin e Tiranës. Zgjatimi i bulevardit të Tiranës që u soll si shembull, është një projekt i vjetër, por mënyra sesi ky projekt është ekzekutuar ka qenë klientelist dhe për këtë arsye është bllokuar. Pasi duke zgjatur bulevardin është përpjekur të kënaqë interesat e klientëve të partisë. Ka ardhur koha që t’i japim fund kësaj lloj politike dhe këto parti politike, këtë lloj politike dinë të prodhojnë”, është shprehur Bojaxhiu.

Bashkia e Tiranës është përdorur si llogore lufte

Sipas tij, bllokimet e projekteve në Tiranë nuk vijnë për shkak se qeverisja vendore i takon një partie dhe qeverisja qendrore një partie tjetër.

“Bashkia e Tiranës është përdorur si llogore lufte dhe ne si qytetarë jemi gjendur përpara faktit që nuk kemi marrë shërbime dhe cilësinë e jetesës që ne meritojmë. Ne nuk po vijmë të bëjmë luftë politike kundër qeverisë, por për t’u dhënë shërbime qytetarëve. Drejtuesit tanë politikë janë të gatshëm të abuzojnë me mandatin e popullit dhe nuk vihen në shërbim të Tiranës, por të karrierës së tyre politike. Për 13 vite rrjesht kemi përjetuar që kryetarë Bashkie kanë abuzuar me Tiranën, duke dhënë leje ndërtimi për të bërë miq që do t’i ndihmojnë në politikë apo për interesa ekonomik”, deklaroi Bojaxhiu.

Duke komentuar punën e Bashës, Bojaxhiu renditi disa elementë.

“Katastrofë janë lejet e dhëna poshtë digës së Liqenit”, u shpreh Bojaxhiu.

Edi Rama, arkitekti i betonizimit të Tiranës

Ai komentoi edhe punën e Edi Ramës kur ishte në krye të bashkisë së Tiranës.

“Hija e rëndë e betonit, kullave dhe kaosit urban kanë eklipsuar fillesat pozitive të punës së tij. Nëse sot kemi këtë qytet me mungesë hapësirash të gjelbërta dhe ndotje, arkitekti i parë është Rama”, ka deklaruar Bojaxhiu.

Nëse s’marrim në dorë fatet tona, do shkojmë drejt greminës

I pyetur nga gazetari Rakipi, nëse mund të ngrihet mbi palët politike një kryetar Bashkie, Bojaxhiu u shpreh:

“Padyshim mund të dilet mbi këto palë. Këta janë njerëz të korruptuardhe ordinerë, nuk janë Zota. Ka ardhur koha të marrim fatet tona në duar, se ndryshe do na çojnë drejt një gremine ku nuk mund të dalim më”.

Largimi nga Partia Demokratike

Moderatori Rakipi ka pyetur Gjergj Bojaxhiun për largimin nga Partia Demokratike.

“Unë kam qenë anëtar i PD për 4-5 vjet. U largova se nuk kishte hapësirë ku të dëgjohej mendimi dhe se mund të zgjidheshin problemet që kishin qytetarët”, u shpreh Bojaxhiu.

 Shqipëria ka humbur shumë shanse nga Salia Berisha

Gjergj Bojaxhiu komentoi edhe figurat kryesore të politikës shqiptare, duke filluar nga Sali Berisha.

“Sali Berisha ka ndjekur një politikë në 25 vite që ka si rezultat këtë Shqipëri që kemi sot. Shqipëria ka humbur shumë shanse prejt tij. Sot Shqipëria është shëmbëlltyrë e Sali Berishës. Sot kemi këto probleme të pazgjidhura dhe një akumulim problemesh dhe përgjegjësia kryesore është e tij”, ka thënë Bojaxhiu.

Metën e kemi parë më zë dhe figurë kush është

Gjergj Bojaxhi ka komentuar shkurtimisht Ilir Metën, kryetarin e Kuvendit dhe kreun e LSI.

“Të gjithë ne e kemi parë me zë dhe figurë se kush është Ilir Meta” u shpreh Bojaxhiu.

Bojaxhi: Ne qeverisemi nga një elitë e korruptuar

Ai ka komentuar edhe qeverisjen e kryeministrit Rama.

“Ne qeverisemi nga një elitë e korruptuar. Për mua personalisht fakti që kemi sot një sistem gjyqësor të korruptuar, tregon që nuk kemi ndryshim thelbësor nga ai i 25 viteve të fundit”, ka thënë Bojaxhiu.

Ai krahasoi reformat që po ndërmerr qeveria aktualisht me ato të ndërmarra nga mandati i parë i qeverisë Berisha.

“Nuk shoh ndonjë ndryshim, se edhe Berisha ndërmori reforma në 4 vjeçarin e parë. Ky vend nuk bëhet me zbatim ligji në mënyrë sporadike dhe të njëanshme. Çfarë morali ka kur qeveria mbledh lekët te familjet e varfra dhe nga ana tjetër përdor kontrata afatshkurtra për të punësuar militantë që do të përdoren në fushatë? Kjo është gënjeshtër. Ky është morali dhe zbatimi i ligjit? Unë jam për zbatimin e ligjit, por të zbatohet në mënyrë të njëtrajtshme dhe jo të zbatohet vetëm te të varfërit. Ky është krim, është padrejtësi. Shqipëria vuan në rradhë të parë nga padrejtësia dhe në rradhë të dytë nga moszbatimi i ligjit”, ka deklaruar Bojaxhiu.

Puna si drejtor i KESH dhe bashkëpunimi me Fazlliç

Gazetari Rakipi ka pyetur Bojaxhiun për periudhën kur drejtonte Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare dhe kontratat e lidhura për importin e energjisë me kompaninë e drejtuar nga Fazlliç.

“Kontratatat janë bërë me kompaninë, jo me personazhin. Ato janë bërë edhe më përpara se unë të shkoja në KESH. Kompania që ka marrëdhënien më të gjatë të tregtimit të energjisë me KESH është kompania EFT, aksionerët e të cilëve janë serbë. Kompania mesa di është ndarë më dysh dhe operojnë si dy kompani të ndryshme. Pra, ata që drejtojnë kompaninë Rudnap kanë bërë tregti që përpara se të ndohte ndarja”, ka shpjeguar Bojaxhiu.

Ai shtoi se Serbia ka pasur monopol në transmetimin e energjisë në rajon dhe drejtuesit e kompanisë e kanë përdorur këtë.

“Proçedurat e ndjekura kanë qenë transparente, nuk ka pasur kontekstim nga opozita dhe kemi marrë çmimin më të ulët. Jemi krenar për punën që kemi bërë”, u shpreh Bojaxhiu.

 Bojaxhi: Edhe nëse nuk fitoj garën, do vazhdoj projektin politik

I pyetur nga gazetari Rakipi, Gjergj Bojaxhi deklaroi se do të vijojë projektin e tij politik.

“Unë do të vazhdoj projektin politik, edhe nëse nuk fitoj. Kemi nevojë për ndryshim, për një klasë të re politike. Na duhet një moral i ri politik. Nëse ne nuk ndryshojmë modelin e politikanit që çojmë përpara dhe i japim mandat për të na qeverisur, ne nuk i zgjidhim problemet. Duhet të votojmë një model tjetër politikani që të kemi zgjidhje të reja”, u shpreh Bojaxhiu.

 

Komento